Java e Projekteve në gjimnazin “Eqrem Çabej”: Një aktivitet efikas për nxënësit e shekullit 21

Data e Publikimit 6 Qershor 2021

Java e Projekteve në gjimnazin “Eqrem Çabej”: Një aktivitet efikas për nxënësit e shekullit 21

Që nga dita e enjte datë 29.04.2021 deri ditën e premte 30.04.2021 në gjimnazin “Eqrem Çabej” u zhvillua Java e Projekteve, ku nxënësit kanë zhvilluar mësimin në mënyra të ndryshme nga ajo e përhershmja. Nxënësit ishin shumë entuziastë për këtë risi dhe rezultatet e arritura ishin edhe më të larta. Me njohuritë e fituara dhe shkathtësitë e buta të zhvilluara, prezantimet e nxënësve të këtij gjimnazi ishin sa profesionale edhe aq atraktive

Java e Projekteve, e cila u organizua nga shkolla partnere “Eqrem Çabej” e Programit “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt” – ASSET, financuar nga USAID u manifestua duke u bazuar në njohuritë e mësimdhënësve të fituara gjatë trajnimit në kursin Mësimdhënia e Bazuar në Projekte. Kjo metodë bashkëkohore mësimore mundëson konkretizimin e mësimit teorik, dhe ndërlidhjes së fushave/lëndëve të ndryshme mësimore në mes veti dhe me botën reale. Për të prezantuar punimet e krijuar, nxënësit prezantuan projektet para përfaqësuesve të Drejtorisë Komunale për Arsim, bashkëmoshatarëve, mësimdhënëve dhe përfaqësuesve të Programit ASSET. Tre projektet e realizuar nga nxënësit nën mentorimin e mësimdhënësve ishin:
1. Luminishenca;
2. Organizimi i kuizit përmes Asociacioneve dhe
3. Shqisa e të pamurit.

Prezantimet e projekteve dhe bashkëpunimi në ekip

Projekti i parë që u prezantua ishte Shqisa e të pamurit, një projekt që përfshiu lëndën e biologjisë, fizikës, psikologjisë dhe matematikës. Përvec prezantimit për Anatomin e syrit, nxënësit kishin bërë edhe një test për të pamurit për shokët dhe shoqet e klasës dhe krijuan alfabetin braille në gjuhën shqipe. Ekipi i nxënësve të cilët kanë punuar në këtë projekt thanë që përmes këtij aktiviteti kanë përfituar shkathtësi në përcaktimin e problemit, renditjen e argumenteve për zgjidhje si dhe ndërtimin e një plan projekti. Pas përfundimit të tyre, në biblitotekën e shkollës ishte mbledhur ekipi për të prezantuar projektin “Kuizi i asociacioneve”. Ekipi i përbër nga 3 vajza dhe 1 djalë në krahorët e tyre kishin vendosur Name Tag dhe emrin e projektit. Të përgatitur aq mirë treguan që përmes këtij punimi kanë zhvilluar shkathtësitë si: puna në ekip, kreativitetin, hulumtimin, etj.

Prezantimet e nxënësve

Në fund të ngjarjes, në hapësirën krijuese ‘Makerspave’ e krijuar nga Programi po na priste ekipi i fundit për të prezantuar punimin e tyre të quajtur Luminishenca (Lumineshenca është emetim spontan i dritës nga një substancë që nuk rezulton nga nxehtësia; ose "dritë e ftohtë"). Një ekip i madh i nxënësve, për 40 minuta në mënyrë profesionale dhe shumë të qartë prezantuan me shumë krenari rezultatet e tyre. Përveç prezantimit të procesit, ata kishin vizituar edhe Spitalin e Vushtrisë për të mësuar në praktikë për këtë proces si dhe kanë krijuar produkte që demostrojnë procesin, të cilat janë të bashkëlidhura më poshtë.

‘’Ky projekt ka rëndësi të madhe për mua pasi që nmësova shumë për procesin e Luminishencës, e cila gjen zbatim në shumë shkenca si Biologji, Fizikë, Kimi e Teknologji. Nga aktiviteti i realizuar unë mendoj se në një të ardhme të largët do të gjejë shumë zbatim në fusha të ndryshme si forenzika, komunikacion etj.’’ – tha Lorik Zabërgja.

Eksperiencën e mire e ndau edhe Leonitë Bekteshi, nxënëse e klasës XI-1. ‘’Gjatë zhvilimit të projektit ‘Luminishenca’ arrita të mësoj shumë njohuri të reja. Për mua angazhimi në një projekt të tillë ishte përvojë shumë e mirë jetësore’’ – u shpreh ajo.

Në fund, përmes projekteve të zhvilluara mësimdhënsit u shprehen se kanë vënë re se edhe nxënës të cilët nuk punojnë me dëshirë në programin mësimor kanë treguar plotësisht të kundërtën kur punojnë me një projekt të caktuar. Një nga arsyet që ata gjenden më mirë në një projekt është edhe stili i tyre i të mësuarit që përshtatet më mirë në punën në grup, preferencat e bashkëpunimit, dhe realizimi i veprimtarive praktike që shpesh realizohen jashtë kuadratit të klasës.